Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar nga kryeministri Edi Rama, se çfarë bëhet me ndarjen e fondeve dhe tenderave të ndryshme.

Nga foltorja e Kuvendit, ai tha se ndodhen në atë sallë jo për të bërë lojëra fjalësh, por për të sjellë ndryshimin që vjen sipas tij me largimin e kryeministrit nga pushteti. Po ashtu nënvizoi, se për ta bërë këtë, duhet pikë së pari të miratohet vettingu i politikanëve.

“Sa ka shkuar numri i vdekjeve sot? FMN thotë që ne jemi vendi me numër më të lartë të vdekjeve nga COVID-i. Ndërkohë që ju vazhdoni harxhoni miliona nga oligarkët që keni shpenzuar miliona. Po si të kërkoj ty të të brejë ndërgjegjja, sepse ti s’ke pasur asnjëherë. Ti ke zgjedhur, ke vendosur prioritet kullat e korrupsionit dhe oligarkisë. Ke vendosur t’i klasifikosh sekret tenderat e pandemisë. Këto janë vendimet e tua, nuk janë aksidente, nuk janë as si COVID-i apo si tërmeti, është më keq, janë si të dyja bashkë. Të vetmet tendera që ti urren janë ato të përcaktuara nga BE. Tarifat e tua për çdo tender mbi 1 mln euro, ato tarifa i di e gjithë Tirana. Ndaj fondet e BE nuk t pëlqejnë ty, sepse aty ka rregulla ndryshe. Kështu që, merri pak letrat ku i ke futur, ndoshta i ke akoma te zyra e ish-zv. kryeministrit. Merri dhe shikoji se si në tenderat e tua nuk ka konkurrencë, i ke përcaktuar ti.

Më pas ke përcaktuar dhe se si do të ndahet ryshfeti. Konsideratë të veçantë ke për pronarët e mediave që të bëjnë fresk. Java zgjedhore bashkia Durrës ndan 6 mln euro për rindërtim. Po të krahasojmë pagesat për këtë kategori shpenzimi, deri më 25 mars 2021, vlera e ekzekutimeve është 6 mln lekë të reja. Krejt ndryshe një javë para zgjedhjeve, sepse ti nuk i gjendesh pranë njerëzve në fatkeqësi.

Ti i sheh ata si votues, që i frikëson, intimidon, me qëllimin që të mbash me çdo kusht pushtetin. Kjo është marrë vesh botërisht. Ne nuk jemi këtu për të bërë lojëra fjalësh me ty. Por qëllimi ynë është që të largojmë nga kjo sallë dhe t’ia kthejmë sallën shqiptarëve, që vendimet që do të merren të merren për shqiptarët, e as për oligarkët apo miqtë e tu. Nëse duam që kjo të ndodhë, duhet të ndryshojmë ligjin e Kuvendit, e ti hapim rrugë të asaj që ti ke frikë si djalli tenianin, vettingun e politikanëve”, tha Basha.