Të ardhurat buxhetore në tërësi në muajin janar rezultuan 50.2 miliardë lekë ose 10 për qind më të larta se fakti i të njëjtës periudhë.

Por të ardhurat tatimore që nuk përfshijnë ndihmat ( flukse të donatorëve), janë rritur me vetëm 7.5 për qind në krahasim me janarin e vitit 2022, gati me nivelin e inflacionit.

Ritmet e grumbullimit e të ardhurave tatimore u zvogëluan ndjeshëm në janar, po të kemi parasysh se vitin e kaluar në të njëjtin muaj pësuan rritje vjetore me 29.8%.

Sipas INSTAT në janar 2023 inflacioni shënoi rritje me 7.2%, ndërsa të ardhurat tatimore në të njëjtin muaj u rriten me 7.5% ose 0.3 pikë përqindje me shumë se inflacioni.

Arkëtimet buxhetore në janarin e këtij viti u ndihmuan nga të ardhurat nga ndihmat që përfaqësojnë disbursime nga fondet e donatorëve. Arkëtimet në këtë zë arritën në 1,3 miliardë lekë me 695 për qind në krahasim me janarin 2022.

Ndërmjet të ardhurave tatimore arkëtimet dyshifrore ishin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar me 16,9 miliardë lekë me rritje vjetore 11%.

Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin u rriten me 45% në krahasim me janarin e vitit 2022, me rreth 2.4 miliardë lekë të arkëtuara.

Të ardhurat nga akciza shënuan rritje vjetore me 17.4%, të ndihmuara nga rritja e zhdoganimeve të cigares me 64% dhe birrës me 101% janar 2023.

Gjithashtu rritja e pagave në sektorin privat dhe rritja e pagës minimale në vjeshtën e vitit të kaluar kanë ndikuar pozitivisht të ardhurat për kontributet e sigurimeve dhe të ardhurat nga TAP. Të ardhurat nga sigurimi shoqëror u rriten me 16.1% dhe të ardhurat nga TAP u rriten me 30.5%.