“Të bëhemi bashkë për Mallakastrën”, Agron Kapllanaj: Mallakastra mund të bëhet dhe do të bëhet

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj, me anë të një statusi në “Facebook”, ka shkruar se problemet që po vuan e gjithë Shqipëria, shumë fortë po i vuan edhe Mallakastra. Kapllanaj shkruan se sot është momenti për reflektim dhe llogari konkrete, ndërsa shton se duhet të bëhemi bashkë për Mallakastrën e të japim një mesazh për të gjithë Shqipërinë.

Ai thotë se një i zgjedhur vendor nuk mund të bëjë gjithçka, por mund të punojë me ndershmëri dhe këmbëngulje për të tërhequr investime, për të përmirësuar jetesën e qytetarëve të tij dhe për të qenë pranë tyre. Agron Kapllanaj thekson se duhet të jemi indiferentë ndaj politikës së vjetër dhe të mendojmë për të ardhmen tonë dhe të votojmë për interesin tonë.

Statusin e tij ai e përfundon duke thënë se qytetarët mallakastriotë kanë treguar se sa herë bëhen bashkë, bëjnë gjëra të bukura për Mallakastrën, dhe prandaj kërkon që edhe në këtë sfidë të radhës të jenë bashkë.

𝗣𝗼𝘀𝘁𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗔𝗴𝗿𝗼𝗻 𝗞𝗮𝗽𝗹𝗹𝗮𝗻𝗮𝗷𝘁:

Të dashur bashkëqytetarë mallakastriotë!

Sot sfidat tona nuk janë të lehta! Pas 10 vitesh keqqeverisje, korrupsion, kriminalitet dhe varfërim, vendi po zbrazet, të rinjtë po largohen. Këtë problem e vuan e gjithë Shqipëria e shumë fortë po e vuan Mallakastra! Sot është momenti për reflektim, sot është momenti për llogari konkrete! Të bëhemi bashkë për Mallakastrën e të japim një mesazh për gjithë Shqipërinë!

Një i zgjedhur vendor nuk mund të bëjë gjithçka, por ai mund të bëjë diçka shumë të rëndësishme për qytetin e për krahinën e tij. Mund të punojë me ndershmëri dhe këmbëngulje për të tërhequr investime, për të përmirësuar jetesën e qytetarëve të tij, për të qenë pranë tyre!

Duhet të jemi indiferentë ndaj politikës së vjetër, politikës së baltosjes dhe mbajtjes në vëmendje të konfliktit! Të mendojmë për të ardhmen tonë dhe të votojmë për interesin tonë! Kemi treguar se sa herë jemi bashkë, bëjmë gjëra të bukura për Mallakastrën!

Prandaj me zemër ju kërkoj që edhe në këtë sfidë të radhës të jemi bashkë! Të jemi bashkë për të garantuar jo një zyrtar burokrat, por një shërbëtor për qytetin e për qytetarët! Të bashkohemi për të ndryshuar Mallakastrën, pasi mund të bëhet dhe do bëhet!

Sot Mallakastra, nesër Shqipëria!
I Juaji Agron Kapllanaj
Mallakastra News