Nga aksioni i AMP-së i zhvilluar gjatë mbrëmjes së djeshme, janë arrestuar përgjegjësi i doganës së Kakavijës dhe doganieri, si dhe 1 në kërkim. Këta dyshohet se merrnin rryshfete dhe kalonin mjetet e mallrave pa kryer kontroll.
AMP kishte dyshime se doganierë dhe efektivë policie ishin të përfshirë në skema korruptive në lidhje me procedurat e parregullta të zhdoganimit duke përfituar shuma parash. Gjatë orëve të operacionit janë konstatuar 1 trajler, 4 kamiona të tonazhit të rëndë si dhe mjete të tjera të mbushura me mallra që kaluan pikën kufitare pa kryer kontrolle si dhe duke i shmangur pagesave të zhdoganimit. Ndërkohë vijojnë hetimet për të zbardhur edhe nëse ka zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë skemë korrupsioni.