Manchester United është gjithnjë e më shumë në krizë dhe dhoma e zhveshjes së “Djajve të Kuq” duket si një fuçi e vërtetë baruti. Largimi i Ole Gunnar Solskjaer nuk e ka qetësuar situatën. Humbja ndaj Wolverhampton ka sjellë hije dhe paqartësi te trajneri i ri Ralf Rangnick, i cili po përballet me krizën e parë që nga drejtimi i skuadrës angleze.

Për më tepër, siç raporton “Daily Mirror”, disa lojtarë kanë kërkuar të largohen nga klubi. Sipas gazetës britanike, 11 futbollistë duan të largohen nga Manchester United. Ardhja e Rangnick nuk do t’i qetësonte të gjithë në një dhomë zhveshjeje plotësisht të përçarë.

Në të vërtetë, ardhja e trajnerit të ri e ka përkeqësuar situatën dhe lojtarët që ndiheshin të margjinalizuar me Solskjaer po vuajnë trajtim të ngjashëm ose më keq nga gjermani. Mes tyre spikasin Jesse Lingard, Donny van de Beek, Eric Bailly apo Dean Henderson. Një burim anonim tha për “Mirror”: “Atmosfera në dhomat e zhveshjes është vërtet e keqe dhe duket se skuadra do të ketë probleme të mëdha në të ardhmen”.

Gary Neville, ish-kapiteni i Manchester United, konfirmoi një dhomë zhveshjeje krejtësisht të ndarë dhe foli gjithashtu për tension të madh mes Harry Maguire e Cristiano Ronaldos. Portugezi, gjithashtu përfundoi në syrin e ciklonit javët e fundit, çka shkaktoi reagimin e Luke Shaw për rezultatet dhe paraqitjet zhgënjyese të ekipit.