Kryeministri britanik Boris Johnson do të bëjë ndryshime në Kabinet, të cilat lidhen me nevojën për një rimëkëmbje më të shpejtë nga pandemia.

Sekretari i Arsimit Gavin Williamson është shkarkuar dhe Sekretari i Jashtëm Dominic Raab është ndër ata që thuhet se po përballen me presionin e këtyre ndryshimeve.

“Kryeministri sot do të bëjë një riorganizim për të krijuar një ekip të fortë dhe të bashkuar për të marrë veten më shpejt nga pandemia,” thuhet në një deklaratë të Doëning Street të mërkurën.

Sipas burimeve të BBC, Sekretari i Jashtëm Dominic Raab dhe Sekretari i Arsimit Gavin Williamson do të zhvendosen në poste të reja.

Raab ka marrë kritika kohët e fundit për dështimin e inteligjencës britanike për të parashikuar rënien e shpejtë të Kabulit nga talebanët në Afganistan, por faji ka rënë kryesisht mbi administratën e Biden në Uashington.

Sekretari i Drejtësisë Robert Buckland konfirmoi shkarkimin e tij menjëherë pas Williamson. Sekretari i Strehimit Robert Jenrick u lirua nga pozicioni i tij pas një takimi të gjatë me Johnson. Jenrick tha se ai “do të vazhdojë të mbështesë Kryeministrin dhe Qeverinë në çdo mënyrë që mundem”.

Të tjerët që thuhet se do të zhvendosen janë Sekretarja e Tregtisë Liz Truss, Ministri i Zyrës së Kabinetit Michael Gove, Sekretarja e Brendshme Priti Patel dhe Ministrja pa Portofol Amanda Milling, sipas raporteve nga Politico dhe GB News.