Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka paralajëmruar se në SPAK mund të shkojnë edhe 2 kryebashkiakë të tjerë, pasi njësia anti-korrupsion ka thelluar hetimet në 2 bashki në lidhje me abuzimin me provat.

I pyetur nëse i druhet ndonjë shkarkimi nga qeveria apo presioneve nga grupet kriminale, Manja u shpreh se nuk ka frikë, pasi ka qenë vetë qeveria që e ka krijuar këtë strukturë.

Manja: Siç e kam deklaruar më parë, Njësia Anti-Korrupsion ka hetime përsa i përket çështjes së pronave në të gjithë bregdetin, por hetimi do kohën e vet pasi duhen administruar të gjithë provat. Kemi në 3 zyra vendore të Kadastrës por edhe në 2 Bashki ku njësia anti-korrupsion ka thelluar hetimet dhe shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e hetimit. Do t’ju bëjmë me dije nëse shkeljet janë administrative apo penale.

A ka mundësi të zhduken provat?

Manja: Për të gjitha faktet që denoncojmë, mundësia që të zhduken provat është zero. Koordinatorët tanë i kanë sekuestruar të gjitha provat shkresore. Lidhur me ecurinë e kallëzimeve që ne kemi denoncuar, ne marrim informacion lidhur me ecurinë e tyre. Për një pjesë hetimet penale janë në fazën e fundit, madje ka zyrtarë që janë me masë sigurie, siç janë të Sarandës dhe Fierit, ndërkohë që ka edhe disa që po hetohen në gjendje të lirë.

I druheni një shkarkimi nga qeveria apo nga presioni i grupeve kriminale?

Manja: Unë nuk i druhem asnjë lloj presioni, sepse krijimi i kësaj strukture ishte tërësisht vullnet i qeverisë. Qeveria shqiptare, kryeministri Rama është i qartë me këtë betejë. Dosja e pronave është e mbartur për 30 vite dhe është çështja më e nxehtë. Ne presim në Qershor hapjen e negociatave me BE, dhe kapitulli 23 është kapitulli i parë që do të hapet, ku përfshihet edhe çështja e pronave. Ne kemi një ligj të ri për përfundimin e proceseve kalimtare të pronave.