Tajvani ka bërë të ditur se një grup avionësh ushtarakë kinezë fluturoi në zonën e tij të mbrojtur ajrore të dielën. Ministria e Mbrojtjes në vend bëri të ditur se 19 avionë, përfshirë luftues dhe bombardues me aftësi bërthamore, hynë në të ashtuquajturën zonë identifikimi të mbrojtjes ajrore (ADIZ).
Taipei është ankuar për më shumë se një vit për misionet e përsëritura të forcave ajrore të Kinës pranë ishullit. Kina e sheh Tajvanin demokratik si një provincë të shkëputur, por Tajvani e sheh veten si një shtet sovran.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se misioni i së dielës nga forcat ajrore kineze përfshinte katër bombardues H-6, të cilët mund të mbajnë armë bërthamore, si dhe një aeroplan anti-nëndetëse.
Një zonë identifikimi e mbrojtjes ajrore është një zonë jashtë territorit të një vendi dhe hapësirës ajrore kombëtare, por ku avionët e huaj vijojnë të identifikohen, monitorohen dhe kontrollohen në interes të sigurisë kombëtare.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se si përgjigje u aktivizua sistemi i raketave dhe u dërguan në ajër mjete fluturuese luftimi për të paralajmëruar avionët kinezë. Kina nuk ka reaguar ende zyrtarisht për incidentin.
fax