Një hetim është duke u zhvilluar pasi një djalë 16-vjeçar u qëllua për vdekje nga policia në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Dortmund, thanë sot autoritetet.

“Adoleshenti tentoi të sulmonte policët me thikë. Prandaj kolegët tanë përdorën armët e tyre”, u tha gazetarëve të hënën në mbrëmje zëdhënësi i policisë Gunnar Wortmann, menjëherë pas incidentit.

Por dëshmitarët akuzuan policinë se ka përdorur forcë të tepruar ndaj djalit, i cili dukej se kishte ndjenja vetëvrasëse dhe po dëmtonte veten me thikë.

“Policët mund të kishin përdorur Taser ose sprej për ta ndaluar atë, por nuk e bënë. Ata e qëlluan drejtpërdrejt dhe e vranë”, tha një person që ishte dëshmitar i incidentit për kanalin gjerman të lajmeve n-tv.

“Jam shumë i pikëlluar, ai ishte një djalë afrikan 16-vjeçar. Nuk e kuptoj pse policia nuk përdori mjete tjera për ta ndaluar”, tha një grua në lagje.

E përditshmja Bild raportoi se djali ishte shtetas senegalez, megjithatë, autoritetet nuk dhanë detaje rreth identitetit të tij, pasi hetimi është ende në vazhdim.