Një burrë i dhunshëm, i përgjakur e i armatosur me një lopatë, vijonte sot arratinë në Australi megjithse u godit 5 herë me rrymë elektrike nga policët, i veshur vetëm në të mbathura.

Në skenat që shkaktuan panik mes banorëve, i dyshuari Laemin Forbes kishte hyrë me thyerje në disa shtëpi dhe kishte sulmuar të paktën dy gra të moshuara në perëndim të Australisë, para se policia të vihej në ndjekje të tij.

Pasi i kishte rezistuar tentativave të arrestimit, 40-vjeçari ishte larguar duke kaluar përmes një dritareje të mbyllur.

Më pas i veshur vetëm me të mbathura dhe me një lopatë në dorë, Forbes u largua me vrap, duke bërë që policët t’i viheshin nga pas.

I përgjakur e me prerje në trup, Forbes u qëllua pesë herë me pistoletë elektrike nga oficerët, por kjo nuk bëri asgjë për ta ndaluar, ndërsa dëshmitarët nisën ta quanin “Terminatori i pandalshëm”, raportonte rrjeti vendas 7 news. 

Teksa tentonte t’i shpëtonte oficerëve Forbes sillej në mënyrë “të dëshpëruar e të dhunshme”  duke shkaktuar kaos në qytezën e Como, ne Perth.

Gjatë ndjekjes së tij, ai rrëzoi përtokë 84-vjeçaren Mary e cila u detyrua të dërgohej në spitalin Charles Gairdner.

“Më goditi me krah në gjoks,” tha ajo për rrjetin 7news.

“Mendova se ishte fundi për mua.”

Forbes ishte filmuar më pas që hyri në një tjetër shtëpi ku tentoi të vidhte një biçikletë në kopsht, por nuk arriti ta bënte dhe vazhdoi të largohej duke lënë prapa një vijë gjaku.

Njeriu ‘i trazuar’ më pas kishte marrë peng një automjet, me të cilin u përplas dhe vijoi përsëri arratisjen në këmbë.

Policia ka paralajmëruar banorët se burri është gati të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar ndalimit.

“Askush nuk duhet t’i afrohet të dyshuarit, por të telefonojnë menjëherë policinë,” thanë autoritetet.