Një pikë larg kreu është një diferencë shumë e vogël, një detaj që nuk mund të shuaj kurrsesi ëndrrën e një qyteti për të shpresuar deri në fund tek titullin kampion. Teuta jo vetëm që nuk dorëzohet por trajneri Edi Martini është i bindur që ekipi i tij është favoriti kryesorë për të festuar në fund. Ky është një diskutim që ka ende kohë pasi në valle janë edhe pesë finale, gjithçka nis këtë të shtunë ku presin Bylis në “Niko Dovana”, një ndeshje jo e lehtë për Martinin por një sfidë që duhet fituar me çdo kusht:

Bylis? Nuk ka ndeshje të lehta, ata luajnë për të mos dalë nga kategoria, ndërsa ne luajmë për të dalë kampionë. E shoh si një ndeshje që duhet fituar, por duhet të kemi kujdes. Jemi mirë, gjendja fizike e lojtarëve është e mirë, duke përjashtuar kapitenin Arapi.

Ai ka një dëmtim në pulpë, shpresojmë ta kemi për ndeshjen tjetër. Pjesa tjetër është ok, gjendja e grupit është e mirë, kështu që them se jemi në nivel mjaft të mirë.

Presioni i fitores? Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta, por kjo nuk përbën problem për ne, sepse ne çdo ndeshje e kemi për ta fituar. Është një ndeshje e fortë, Bylis kërkon të marrë diçka nga kjo ndeshje. Ne do të bëjmë ndeshjen tonë, do të futemi në fushë për fitore.

Disa shprehen se Teuta ka mbrojtje të fortë sepse luan në mbrojtje, por jo. Ne kemi mbrojtje të fortë sepse presojmë lart, nuk lejojmë ekipet të na afrohen te porta.

Titulli? Shanset janë të mëdha, duke parë nivelin e lojës që kemi treguar gjatë ndeshjeve. Unë them që jemi pretendentët kryesorë për të fituar titullin”, tha Martini.

Ballkanweb