Sot pritet të kryhet ekspertiza mjekoligjore për Genti Isaj, i cili ka humbur jetën në rrethana të çuditshme pas mjekimit për dhëmballën, por familjarët janë shprehur se i riu ishte i shëndetshëm.
Prindërit e të riut Genti Isai, i cili humbi jetën ditën e djeshme pasi mori mjekim për dhimbjen e dhëmbit kanë treguar sesi ka ndodhur ngjarja e rëndë. Sot pritet të kryhet ekspertiza mjekoligjore për Genti Isaj, i cili ka humbur jetën në rrethana të çuditshme pas mjekimit për dhëmballën, por familjarët janë shprehur se i riu ishte i shëndetshëm. Po ashtu, ngulin këmbë se 32-vjeçari nuk ishte konsumues i substancave narkotike.
E ëma e viktimës
“Djali erdhi nga Erseka. Dentisti i kishte dhënë recetën me ilaçe që i mori në farmaci. Kishte shqetësime nga dhëmballa, thoshte më dhemb koka ndërsa i ishte ënjtur gusha. Një ilaç me pluhur e kishte pirë në Ersekë ndërsa tjetrin me kokrra që kishte marrë, e konsumoi në shtëpi. Erdhi rreth orës 10, në 10:30 i piu. Ilaçi pluhur që kishte konsumuar që në Ersekë, e kishte bërë me djersë. Sa erdhi, zbriti nga makina dhe u ndërrua se ishte bërë ujë në djersë. Kur erdha unë nga lopët që ishte ora 15:30, 16:00 djali po rrinte në ballkon dhe më foli, hë me mami mbarove andej, mbarove me lopën? Sa hoqa corapet i hodha dhe bukë qenit, as 5 minuta nuk qëndrova jashtë dhe hyrë në kuzhinë, ku ishte shtrirë djali. Unë e thërrisja, e fërkoja nga duart, djali ishte bërë akull. Kur nuk mu përgjigj, ngrita kujën, dola thirra komshinjtë që ta merrnin e ta çonin e Ersekë. Dy djem lajmëruan ambulancën. E nxorrën djalin me makinë dhe rrugës kishin gjetur ambulancën. Që kur ishte fëmijë derisa u bë 32 vjeç, nuk ishte shtruar një herë në spital, nuk kishte bërë asnjë gjëlpërë në trup, nuk ankohej për gjë edhe gripërat atë rrallë e zinin. Djali të mërkurën ishte edhe në punë por nk e kishte kaq keq. Kur e pamë të ënjtur, i thamë të vizitohej,”- rrëfeu nëna e të ndjerit për “ReportTV”.
Ndërsa babai tregon se presin ekspertizën që t’i tregojë shkaqet e vdekjes: Djali vajti tek dentisti në Ersekë, mori recetën më pas vajti tek farmacia dhe erdhi këtu (në shtëpi). Piu ilaçet sapo erdhi në shtëpi. Koka i dhimbte dhe nga fyti ishte ënjtur kishte dhe shumë djersë. Djali nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër. Vetëm nga dhëmballa.
Kushëriri i viktimës, Blerti Shabani shprehet se prej 3 ditësh, Gentiani kishte dhimbje të dhëmballës dhe dyshon se 32-vjeçarit i kanë bërë reaksion antibiotikët që piu për infeksionin e dhëmballës.
Viktimën e kanë transportuar me automjet privat, drejt Spitalit të Ersekës disa bashkëfshatarë, ndërsa ambulanca i ka mbërritur në gjysmë të rrugës, ku edhe mjekët e kanë konstatuar 32-vjeçarin pa shenja jete. Ende nuk përcaktohet qartë nëse ka ndërruar jetë që në banesën e tij, apo gjatë transportimit për në spital. 32-vjeçari ishte fëmija i vetëm i familjes Isai, ndërkohë që pritet të kryhet autopsia e viktimës për të zbuluar shkaqet e vdekjes, e po ashtu sot edhe stomatologu ka paraqitur mjekimin që i ka dhënë pacientit.