Me nisjen e muajit shtator duket se do të vijë dhe vjeshta pasi fundjava do të sjellë një kthesë të motit në vendin tonë.

Vranësirat do të shtohen gjatë ditës së shtunë dhe të dielë, ku në disa zona do të ketë edhe reshje shiu si dhe rënie të temperaturave.

“Moti i kthjellët është prezent. Vranësirat janë shumë të pakta kryesisht në zonat malore. Parashikohet që edhe fundjava të ketë të pranishme shumë më tepër vranësira në territor. Më të dukshme do jenë ditën e dielë ku pritet të ketë edhe reshje. Reshjet do të jenë të fokusuara përgjatë kufirit lindor, por nuk përjashtohen edhe në zonat qendrore, kryesisht Elbasan, Librazhd apo edhe në Tiranë priten momente të shkurtra me shi.

Sa i përket temperaturave vijojnë të jetë të larta deri në 32 gradë. Dita e dielë do të sjellë një rënie të lehtë. Mëngjeset dhe mbrëmjet do jenë më të freskëta. Problematike gjatë kësaj jave dhe në fundjavë do të jetë parametri i erës duke bërë që të jetë herë pas here edhe e fortë 45-50 km/h. Kjo do të bëjë që edhe në brigjet detare të kemi dallgëzim jo më shumë se 3 apo 4 ballë”, tha meteorologia Lajda Porja nga MeteoAlb.

Kjo situatë do të dominojë edhe në rajon, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Në rajon do ketë kushte të qëndrueshme atmosferike. Vranësirat do të shtohen në ditën e shtunë. Në Kosovë priten rrebeshe afatshkurtra shiu. Dita e dielë do të sjellë zhvillim të vranësirave kryesisht në Maqedoninë e Veriut duke bërë që të ketë rrebeshe shiu.

Edhe në Kosovë, kryesisht në jug dhe juglindje priten reshje shiu. Temperaturat sot dhe nesër në Kosovë maksimale deri në 25 gradë dhe në Maqedoni 26 gradë. E diela do të sjellë rënie me 1 apo 2 gradë. Problematik do të mbetet parametri i erës dhe në vendet e rajonit”, u shpreh meteorologia.

fax