Grupet kundërshtare të tifozëve anglezë kanë ofruar një spektakël të shëmtuar në rrugët e Portos, një ditë para se Chelsea dhe Manchester City të përballen këtë të shtunë në finalen e Champions League.

Policia portugeze u desh të ndërhynte për të ndarë sherret masive që shpërthyen nëpër rrugë, ndërsa banorët vendas qëndronin nëpër ballkone duke parë atë që ndodhte.

UEFA ka deklaruar se në stadiumin “Dragao” të Portos do të lejohet të futen vetëm 16500 tifozë, nga 6000 për secilën skuadër, 2000 për delegatët dhe sponsorë të UEFA-s dhe pjesa tjetër për vendasit.

Megjithatë, në qytetin portugez kanë mbërritur mijëra tifozë anglezë që, edhe pse nuk do të jenë brenda në stadium, janë pozicionuar në zonat me lokale të hapura, duke konsumuar alkool që në orët e para të paradites.