Tirana renditet si kryeqyteti me cilësinë më të keqe për të jetuar në Europë dhe ndër të fundit në botë, sipas Numbeo, sistemi më i madh i të dhënave për koston dhe cilësinë e jetesës.
Çmimet e larta të shtëpive në raport me të ardhurat, ndotja, fuqia e ulët blerëse, koha e qëndrimit në trafik, sistemi i pafavorshëm i kujdesit shëndetësor, janë disa nga treguesit që e bëjnë kryeqytetin shqiptar të pozicionohet keq në këtë renditje.
Në renditjen e re të vitit 2022, Tirana është në vendin e 229, në përkeqësim nga viti i mëparshëm kur ishte në pozicionin e 222. Kryeqyteti shqiptar renditet ndër të fundit në botë, nga 255 qytetet që janë marrë gjithsej në renditje.
Nga kryeqytetet e tjera të rajonit, Sarajeva e Bosnjë Hercegovinës renditet në vendin e 188, duke pasur pozicionimin më të mirë në Ballkan. Beogradi i Serbisë renditet në vendin e 206 dhe Shkupi i Maqedonisë së Veriut në pozicionin e 216.
Kosova dhe Mali i Zi mungojnë në këtë renditje.
Sipas shpjegimit të metodologjisë nga Numbeo, Indeksi i Cilësisë së Jetesës (sa më i lartë aq më mirë) është një vlerësim i cilësisë së përgjithshme të të jetuarit, që përdor një formulë empirike që merr në konsideratë treguesit e mëposhtëm:
-Indeksi i fuqisë blerëse (sa më i lartë aq më mirë është). Tirana është në vendin e 122, ndër të fundit në Europë