Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ribërë thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s për të forcuar krahun e tyre jugor të Ballkanit Perëndimor duke hapur rrugën për anëtarësim të përshpejtuar të bllokut.  

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, kreu i qeverisë tha se NATO dhe BE nuk duhet të vazhdojnë më të ndjekin rendin e vjetër për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.

Albin Kurti: Vladimir Putin është lider i luftës nuk është i paqes. Ai është i interesuar ta marrë të gjithë Ukrainën. Të shndërrojë Kievin në një Sarajevë të dytë dhe të shpërndajë gjetiu konkliktin ku do të përdorë faktorët dhe aktorët që kontrollon dhe në Ballkanin Perëndimor” 

Për Kurtin, Putin dëshiron ta shpërndajë sulmin edhe në Ballkanin Perëndimor siç po bën në Bosnje Hercegovinë duke përdorur aktorët pro-rusë në rajon. Kreu i qeverisë rrëfeu se Kosova është e rrezikuar nga konfliktet e reja.

Albin Kurti: Meqë ata do të synojnë konflikte të reja Ballkanin Perëndimor dhe posaçërisht Kosova janë të rrezikuar.  Në të kaluarën presidenti rus na përmendte një herë në muaj tani na përmend një herë në javë. Në këtë situatë të jashtëzakonshme nuk mund të sillemi mënyrë të zakonshme. Prandaj edhe anëtarësimi në NATO e BE nuk mund të jenë sipas mënyrave të vjetra. Është tejet e domosdoshme që Brukseli, si kryeqytet i dyfishtë edhe i NATO-s dhe BE-së të rimendojë një mënyrë të re për integrimin dhe zgjerimin në Ballkanin Perëndimor.

Kosova sot i ka rrugët e bllokuara për t’u anëtarësuar në BE për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së saj nga 5 shtete anëtare të bllokut evropian.

Një situatë e ngjashme po përdoret me Prishtinën edhe në rastin e anëtarësimit të vendit në NATO.