Policia e Tiranës ka vënë në pranga 6 persona për vepra të ndryshme penale.
Njëri prej tyre, 33 vjeç u kap me kanabis, kokainë dhe thikë teksa po bëhej kontrolli në mjetin që drejtohej nga ai. Ndërsa një 24 vjeçar u arrestua sepse iu gjet një thikë dhe më parë ka qenë i dënuar për veprën penale “plagosje të rëndë me dashje”.
Katër persona të tjerë u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur.
Njoftimi i policisë
Arrestohen në flagrancë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Ç., 33 vjeç, sepse gjatë kontrollit të mjetit që drejtohej nga ky shtetas, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë të dyshuar kanabis dhe kokainë, si dhe një armë të ftohtë (thikë).
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 24 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, sepse gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë (thikë).
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
B.K., 55 vjeç, A. I., 37 vjeç, S. Sh., 51 vjeç dhe A. V., 46 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel