Policia e Tiranës vijon kontrollet për të parandaluar ngjarjet me pasoja të rënda dhe gjatë 72 orëve të fndit janë arrestuar 7 drejtues mjetesh, 5 prej të cilëve ishin në gjendje të dehur.

Ndërkohë janë pezulluar 150 leje drejtimi për shpejtësi mbi normat e lejuara, 72 për shkelje të orës policore, 27 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 16 të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia bën apel që shoferët të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit, të bëjnë kujdes dhe të shmangin sjelljen agresive.

Njoftimi i plotë

Në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe kontrolleve në akset rrugore të evidentuara me risk të lartë për shkak të ngjarjeve me pasoja të rënda, efektivët e Policisë Rrugore Tiranë kanë shtuar kontrollet parandaluese dhe patrullimet me mjete të pauniformuara në rrugët dhe zonat më me rrezik në kryeqytet.

Në funksion të kontrolleve parandaluese, përgjatë 72 orëve të fundit:

  • Janë arrestuar në kushtet e flagrancës 7 drejtues mjetesh, 5 prej tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti me leje drejtimi;
  • Janë pezulluar 150 leje drejtimi, 35 prej tyre për shpejtësi mbi normat e lejuara, 72 për shkelje të orës policore, 27 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 16 për shkelje të rregullave të tjera të qarkullimit rrugor;
  • Janë proceduar administrativisht 38 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, për mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara;
  • Janë proceduar administrativisht 235 drejtues mjetesh, për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjeteve;
  • Janë proceduar administrativisht 163 drejtues mjetesh, për parakalim të gabuar;
  • Janë proceduar administrativisht 126 drejtues mjetesh, për mospërdorim të rripit të sigurisë gjatë drejtimit të mjeteve.

#StopAlkoolitNeDrejtim

#JoSjelljeAgresiveNeRruge

#PoliciaApelonPerKujdes

Top Channel