Një tjetër incident elektoral është shënuar gjatë ditës së djeshme në zonën e Pukës, ku koalicioni Bashkë Fitojmë pretendon se mbështetës të tyre janë dhunuar me tytën e pistoletës, edhe pse një gjë e tillë nuk konfirmohet nga policia.

Në një deklaratë për mediat ditën e djeshme, koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ka denoncuar se në fshatin Mzi, Njësia Administrative Fierzë e Bashkisë Fushë Arrëz, “një bandë e armatosur me në krye Drejtorin e HEC-it Fierzë, kriminelin elektoral Vasil Muslija me të birin dhe shtetasin Zamir Sadiku, kanë ushtruar dhunë me armë kundër katër aktivistëve të Partisë Demokratike”.

Sipas deklaratës së koalicionit, përfaqësues të PS-së së Pukës, pasi i kanë ndaluar në rrugë makinën ku ishin Besmir Nika, Bledar Nika, Ndue Deda dhe Ridvan Kuka, veprimtarë të opozitës, i kanë qëlluar me qyta armësh pistoletë.

Ndërkohë që lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe policia, në deklaratën e të cilës nuk përmendet përdorimi i armëve.

Njoftimi i policisë për ngjarjen: Policia ka marrë njoftim se në aksin rrugor rural Miliska-Dardhë, në vendin e quajtur “Lumi i Mziut”, kishte ndodhur një konflikt mes disa shtetasve. Nga deklarimi i dhënë nga shtetasi B. N., (i dëmtuar), dyshohet se:

Shtetasi V. M., së bashku me djalin e tij, shtetasin R. M., dhe shtetasin S. S., banues në fshatin Fierzë, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, shtetasin B. N.

Shtetasi B. N., si pasojë e konfliktit është dëmtuar lehtë, dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, ka dhënë deklarim në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pukë, autorët e dyshuar, shtetasit V. M., R. M., dhe S. S., dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprime procedurale. Vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Veriu i vendit mbetet një zonë e nxehtë sa i takon përplasjeve me natyrë politike, ndërsa edhe në këto zgjedhje nuk ka zhgënjyer. Pak ditë përpara nisjes së fushatës elektorale, një sasi tritoli iu vendos në makinë shtetasit Bernard Ndreca, me detyrë kryetar i PD-së i zgjedhur nga Rithemelimi.

Ndërkohë po në Pukë, kryebashkiaku aktual pretendoi se militantë të Bashkë Fitojmë qëlluan me armë në drejtim të mbështetësve socialistë, që ndodheshin pranë Hotel Turizmit. Ndërsa  pretendimi ka ngritur dhe kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, ku sipas tij mbështetës të opozitës, kanë dhunuar dy zyrtarë të shtetit.