Dalin detaje të reja nga përplasja e stuhishme mes Wanda Narës dhe Mauro Icardit. Edhe një herë, gazetarja argjentinase Yanina Latorre zbulon sekretet e raportit tejet të tensionuar mes çiftit VIP, pas tradhtisë së futbollistit. Ndryshe nga sa mendohej ditët e fundit, China Suarez do të mbërrinte në Paris me dëshirën e saj dhe jo me një fluturim të paguar nga sulmuesi i PSG-së.
Së bashku me dy mikesha, ajo do të sistemohej në hotelin luksoz, ku duket se donte të takonte me çdo kusht Icardin. “Kur mbaroi ndeshja e PSG, ajo ishte tashmë në hotel dhe kërkoi një fanellë të personalizuar të skuadrës”, – zbuloi Yanina në programin televiziv “Los ángeles de la mañana”.
Pasi Wanda Nara mësoi për takimin mes bashkëshortit të saj dhe aktores argjentinase përmes një sërë email-esh anonimë, do t’i kishte kërkuar shpjegim futbollistit, i cili fillimisht kishte pranuar vetëm “flirt virtual” me China Suarez. Në realitet, të dy do të kishin pasur mundësinë të takoheshin në një fundjavë, në fund të shtatorit, ndërsa Wanda ishte në Itali për të ndjekur javën e modës.
“Çfarë faji kam unë, nëse ajo erdhi vetë në Paris…” Me këto fjalë do të justifikohej Maurito, por nuk do të mundej ta shpëtonte martesën e tij. Përgjigja e tij do ta zemëronte edhe më shumë gruan e tij, e shqetësuar nga gënjeshtrat dhe mashtrimet e partnerit të saj. Pas një gënjeshtre tjetër, Wanda u largua nga Parisi dhe fluturoi për në Milano. Zyrtarisht për angazhimet e punës, por edhe për t’u distancuar nga Icardi. “Ka marrë fund përgjithmonë”, – do t’iu thoshte miqve të saj më të ngushtë.