Një 32-vjeçar është arrestuar në Portin e Durrësit pasi po tentonte të fuste armë në vendin tonë. Në pranga përfundoi shtetasi Sindrit Kola, i cili ishte nisur nga Italia drejt Shqipërisë, me armë dhe municion luftarak që i kishte fshehur në valixhe.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë me trup plastik, 2 krehra pistolete, 1 kuti me 50 fishekë imitues të zhurmës dhe 3 bombola metalike.
Njoftimi i policise:
Port, Durrës/Kontrolle me përzgjedhje, bazuar në inteligjencën policore dhe në analizën e riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.
Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Rezidenti”.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, krehra dhe fishekë, si dhe 3 bombola metalike.
Vihet në pranga 32-vjeçari, rezident në Itali, i cili i kishte fshehur sendet e kundërligjshme, në valixhe, me qëllim futjen në vendin tonë.
Në fazën e parë të këtij operacionit, Policia sekuestroi në portin e Durrësit, 1 pistoletë me 2 krehra që tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, një shtetas kosovar, rezident në Francë.
Krahas angazhimit maksimal për të përballuar fluksin e lartë të qytetarëve në hyrje/dalje, për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe për krijimin e lehtësirave, me qëllim zvogëlimin e kohës së pritjes, gjatë përpunimit të dokumentacionit dhe gjatë kontrolleve të mjeteve, shërbimet e strukturave hetimore dhe të atyre operacionale të Policisë Kufitare të portit të Durrësit, kanë vijuar kontrollet me përzgjedhje, të bazuara në inteligjencën policore dhe në analizën e riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas që po udhëtonte me traget, nga Ankona në Durrës, kishte armë zjarri që tentonte t’i fuste në vendin tonë, u finalizua faza e dytë e operacionit policor të koduar “Rezidenti”, në kuadër të të cilit, në hyrje të RSh-së, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi S. K., 32 vjeç, banues në Lezhë dhe rezident në Itali.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi, të fshehura në valixhe, si dhe i sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë me trup plastik, 2 krehra pistolete, 1 kuti me 50 fishekë imitues të zhurmës dhe 3 bombola metalike.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.