Zakonisht, dhuna në sport vjen nga tifozët, ndodh që edhe skuadrat apo sportistët të përplasen me njëri-tjetrin në momente kulmore të ndeshjes, duelit et. Por që një trajner të godasë me shuplakë sportisten e vet, kjo rrallë ishte parë.

Megjithatë, në Shqipërinë tonë ndodh edhe kështu, në vitin 2023. Pamjet e shëmtuara dhe tejet të dënueshme vijnë nga ndeshja e volejbollit për femra U-18, e luajtur mes Skënderbeut dhe Dinamos.

Në një moment disavantazhi dhe ngërçi në lojë, trajneri i korçareve, Romeo Xeka, ka kërkuar pushim, duke i udhëzuar vajzat e tij se si të luajnë më mirë. Sikurse duket në pamje, mjaft i tendosur, ai ka goditur me shuplakë në fytyrë njërën prej volejbollisteve të Skënderbeut, e cila është shokuar, ka ngrirë në vend, pa reaguar fare.

As koleget e saj nuk reagojnë dot, por qëndrojnë si “statuja”, me siguri tejet të befasuara nga veprimi i trajnerit. Adrenalina në sport dihet se është maksimale, ndonjëherë të shpie edhe në veprime të pakontrolluara, por një trajner, që është edhe edukator mbi të gjitha, nuk duhet t’ia lejojë vetes të arrijë të tilla nivele.

Një incident i rëndë për sportin shqiptar, që nuk duhet kaluar pa analizuar, në të kundërt kjo volejbolliste ka marrë një traumë të madhe në karrierë, duhet ndihmuar.