Procedohen penalisht 2 shtetas, pasi tregtonin bagëti të futura në mënyrë të kundërligjshme në vendin tonë, nga Greqia.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar të DVP Korçë goditën një rast të tregtimit të mallrave të futura kontrabandë në vendin tonë.

Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

E. T., 34 vjeç dhe B. B., 23 vjeç, të dy banues në fshatin Pilur, Devoll.

Shërbimet e Policisë në aksin rrugor “Bilisht-Korçë”, kanë ndaluar për kontroll automjetin kamionçinë tip “Benz”, me drejtues shtetasin B. B. dhe pasagjer shtetasin E. T. Gjatë kontrollit në këtë automjet, u gjetën 2 bagëti të trasha (gjedhë) të pamatrikulluara. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në stallën e shtetasit E. T., në fshatin Pilur, u gjetën edhe 7 bagëti të tjera të trasha, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar nga Greqia, me qëllim tregtimin në vendin tonë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.