Tregu i sigurimeve e nis me rënie vitin 2022. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se, për muajin e parë të këtij viti, primet e shkruara bruto kishin vlerën e 1.4 miliardë lekëve në rënie me 5.2% krahasuar me janarin e vitit të kaluar.
Rënia erdhi nga segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të jo-jetës, me 6.3% më pak krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, tregu i sigurimit të jetës e nisi edhe këtë vit me rritje pozitive prej 11.5%.
Tregu i sigurimit të jetës edhe në janar u mbështet kryesisht tek produkti kryesor, sigurimi i jetës së debitorit, por ndërkohë rritje të ndjeshme shënuan edhe disa produkte me peshë më të ulët relative në këtë treg.
Rënia e primeve në tregun e sigurimeve të jo-jetës u përcaktua kryesisht nga produktet e sigurimit të pronës. Produkti kryesor, ai i sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës pësoi një rënie të primeve me 61.4% krahasuar me janarin e vitit të kaluar, ndërsa sigurimi kundrejt dëmtimeve të tjera në pronë pësoi një rënie me 32.8%. Nisja e dobët e vitit e ka ulur peshën e këtyre produkteve në rreth 10% të tregut të jo-jetës, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë zinin më shumë se 22%.
Shumica e produkteve të tjera të tregut kanë shfaqur ecuri pozitive, me rritje krahasuar me një vit më parë. Sigurimet e detyrueshme motorike ngelen dominuese, me 65.2% të primeve të shkruara bruto.
Rritja më e lartë u regjistrua në produktin e kartonit jeshil, me më shumë se 22%. Ndërsa produkti me peshën më të lartë në treg, sigurimi i brendshëm motorik regjistroi një rritje me 3.8%. Rritje me ritme të larta shënoi edhe produkti i sigurimit të aksidenteve në udhëtim, me 74.5% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Ky produkt, ashtu si kartoni jeshil për automjetet, është kryesisht i lidhur me lëvizjet e shtetasve jashtë vendit.
Rritja e këtij produkti ka dhënë një ndikim të rëndësishëm edhe në ecurinë e numrit të përgjithshëm të kontratave të sigurimit. Numri i tyre u rrit me 17.7% krahasuar me janarin e vitit të kaluar dhe ndikimin kryesor e dhanë pikërisht produktet e sigurimit të aksidenteve dhe shëndetit, ku kontratat u shtuan me 95% krahasuar me një vit më parë.
Për sa i takon dëmeve, viti nisi me rënie të ndjeshme të tyre, si në vlerë, ashtu edhe në numër rastesh. Vlera e dëmeve të paguara nga siguruesit për janarin ishte 387 milionë lekë, në rënie vjetore me 28.3%.
Dëmet e paguara pësuan rënie si në segmentin e jetës, me 51.8%, ashtu edhe në atë të jo-jetës, me 28.2%. Rritje e dëmeve të paguara u shënua vetëm në segmentin që lidhet me pagesat e Fondit të Kompensimit, të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, me 21.3%. Ky fond paguan dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara ose ato me shkaktar të paidentifikuar.
Në total, për janarin siguruesit paguan mbi 4400 dëme, shifër kjo 9.4% më e lartë krahasuar me një vit më parë.
Marrë nga Monitor