Fati i një personi mund të ndryshojë në çdo moment, dhe ai i futbollistit 20-vjeçar Seid Visin, e çoi drejt aktit tragjik të vetëvrasjes, arsyet për të cilën ai i shpjegon me një letër, që po trondit opinionin publik italian.

I lindur në Etiopi por i adoptuar nga një familje italiane në afërsi të Salernos, Said nuk shfrytëzoi të gjithë talentin e tij, ose ky talent ishte i pamjaftueshëm për nivelin e Milanit. I riu u rikthye në jugun e Italisë duke iu bashkuar fillimisht ekipit të Beneventos, por më pas vendosi të ndryshojë jetë. Futbolli për të ishte tashmë vetëm një hobi, që ushtronte në ekipin e tij të kalçetos.

Ndërkohë, zbritja nga “parajsa” e iluzionit të futbollit profesionist dhe rikthimi në përditshmërinë e çdo personi normal, e përballi të riun me diçka që ai nuk kishte përjetuar kurrë më parë, kur ishte disi i njohur. Pikërisht racizmi, që fshihet kur fama dhe paratë janë të shumtë, dhe rishfaqet aty ku personat janë më në vështirësi.

“Nuk jam një emigrant. Jam i adoptuar dhe më kujtohet se dikur më donin të gjithë. Por tani gjithçka duket e përmbysur. Kisha gjetur një punë që u detyrova të lej sepse shumë njerëz, veçanërisht më të moshuarit, nuk pranonin të shërbeheshin nga unë, dhe më akuzonin se i hiqja punën të rinjve italianë. Tani kudo që shkoj, ndjej pas shpine vetëm shikime plot urrejtje dhe të trembura”, Shkruan Seid në letrën e tij të lamtumirës.

Letra, e botuar nga prestigjiozja Corriere della Sera, po shkakton debate në një vend që po fillon vetëm vitet e fundit të përballët me fenomenin e gjeneratave të dyta dhe të treta të emigrantëve, ligjërisht italianë por praktikisht të mënjanuar, në një shoqëri që i toleron ato kur përfaqësojnë më së miri botën e sportit dhe shoëbizit, por që nuk ka gjetur ende instrumentet për t’i integruar ato si të barabartë në përditshmërinë sociale.