Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Viola Sterjon, e arrestuar tre ditë më parë për mashtrim.
Policia e Korçës ka arrestuar më 28 dhjetor ish-drejtoreshën e Ministrisë së Mjedisit, Viola Sterjo pasi akuzohet për mashtrim. Sipas policisë, 39 vjeçarja ka përfituar nëpërmjet mashtrimit një shumë të konsiderueshme monetare nga qytetarët në Korçë në mënyrë që ata të përfitonin fonde monetare nga shteti.
Dyshohet se 39 vjeçarja ka mashtruar 5 subjekte, duke u marrë shuma që variojnë nga 20 mijë € deri në 90 mijë €. Sipas burimeve u ka premtuar subjekteve se do të ndërhyjë për të fituar projekte nga AZHBR-ja. Subjektet kanë paguar lekët kundrejt projekteve që variojnë nga 1 milion deri 4 milion Euro.
Njoftimi i policisë
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetases V. S., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, V. S., dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia./Abcnews.al/