Një nga lajmet më interesante të botës së showbizit të ditëve të fundit, ishte që kantautori Pirro Çako u bë baba për herë të dytë.
Ai dhe partnerja e tij sollën në jetë një djalë, të cilin e kanë pagëzuar me emrin Amadeus.
Historia e tyre u zbulua pak kohë më parë në një darkë VIP, të organizuar në Jug nga miku i tij, Ardit Gjebrea, ku Pirro Çako kishte zgjedhur të shkonte çift.
Mësohet se partnerja e Çakos punon kancelare në një institucion të rëndësishëm të drejtësisë në vend dhe është gati 20 vite më e re se ai.
Tashmë që janë bërë prindër, mesa duket axhenda e tyre vijon me një përkujdesje për linjat dhe shëndetin e tyre.
Paparazzi ynë e ka fotografuar pak ditë më parë Pirro Çakon dhe partneren e tij te Liqeni artificial i Tiranës.
Të veshur me tuta sporti dhe atlete, ata duken të përkushtuar për të qëndruar në formë të mirë fizike. Pirro ka edhe një djalë tjetër, Anthony, nga martesa me Inva Mulën.