Presidenti Ilir Meta ka postuar foto në rrjetin e tij social gjatë momenteve të caktuara në ceremoninë e hapjes së stërvitjes ushtarake të organizuar ditën e sotme në sheshin ‘Nënë Tereza’.

Menjëherë pas largimit të kryeministrit Rama, presidenti Meta, pasi kishte ndenjur i distancuar, shihet nën shoqërinë dhe në disa foto me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim nën shoqërinë e ushtarakëve.

Në foton e publikuar nga presidenti, ata shihen të qeshur dhe nuk lënë të kuptohet që ka ndonjë ‘hatërmbetje’ mes tyre.

“Kënaqësi e veçantë të merrja pjesë sot në Ditën e Hapur të Stërvitjes së përbashkët të NATO-s, “Defender Europe 21”, të organizuar në Sheshin, që mban emrin e Shenjtores së madhe shqiptare, Nënë Tereza.

Përgëzoj Forcat tona të Armatosura për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar dhe i inkurajoj për të vazhduar me përgjegjshmëri në drejtim të rritjes së aftësive trajnuese dhe kapaciteteve operacionale për të qenë gjithmonë të gatshëm dhe në përgjigje të situatave dhe detyrave, që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si edhe të angazhimeve në kuadër të NATO-s.

Besimi dhe mbështetja e popullit shqiptar ndaj NATO-s, aleancës më të madhe të lirisë, është unanime, ashtu sikundër edhe vokacioni ynë europian”- shkruan presidenti Meta në postimin e tij.