Personat në foto janë dy gratë, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku që u vranë dje nga vrasësi Dan Hutra në Paskuqan.

Dan Hutra kreu një masakër ditën e djeshme në Kamëz duke lënë të vdekura tre gra dhe duke plagosur te të tjera.

Në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë ish të dashurën Marjana Gurakuqi, pasi kjo e fundit nuk i dha paratë që i kishte borxh.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” dhe ka shkuar në banesën e ish-bashkëjetueses së tij.

Me të mbërritur atje ai ka nisur të qëlloi me kallashnikov duke lënë të plagosur shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Por tragjedia nuk mbaron këtu, pas kësaj ngjarje ai ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe, pasi kishte pasur konflikte me vëllain e saj në burg, Vladimir Kurti.

Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.

Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023.