Ish ministri Saimir Tahiri ka bërë reagimin e tij të parë pasi u lirua nga Gjykata e Elbasanit, me kusht.
Në një postim në rrjetet sociale, Tahiri falenderon të gjithë ata që e besuan në përballjen e tij me drejtësinë, ndërsa ka një mesazh dhe për gënjeshtarët.
Ish-ministri socialist shprehet se do të vazhdojë të kërkojë drejtësinë siç ka bërë deri sot, ndërkohë që ka një rekurs në Gjykatën e Lartë ku ai kërkon pafajësinë.
Postimi i Tahirit: Do vazhdoj te kerkoj drejtesine, sic kam bere deri me sot. Te falenderoj me zemer ty qe ke besuar gjithmone te gjithcka jam e kam bere une!
Faleminderit dhe ty qe ke genjyer gjithmone, duke me kujtuar cmimin e te vertetes. Pata mundesi te njihja padrejtesine perballe. Tani kam mundesine te kerkoje te drejten pa kursim!
Faleminderit pamase te gjithe!
Gjykata e Elbasanit vendosi lirimin me kusht të Saimir Tahirit.
Ish ministrit Tahiri i kishin mbetur 1 vit e 8 muaj burg për të shlyer dënimin e tij por gjyqtarja Matilda Fetau ka vendosur që pas kërkesës së mbrojtjes, ta kryejë pjesën tjetër në banesën e tij.
Për ish-ministrin janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse ai nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit, 1 vit e 8 muaj burg.
Burime per Faxnews bejne me dije se në njërën prej tyre, thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore.
Ndërsa në akt ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët. Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, u pranua këtë të premte.
Më 4 shkurt të vitit 2022, Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg për “Shpërdorim detyre”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Tahiri u dënua me 3 vite e 4 muaj burg./Faxweb.al