Janë gjetur trupat e dy vëllezërve të vegjël që ishin zhdukur prej pasdites së djeshme në Manfredonia, në provincën e Foggia në Itali.
Ata u gjetën të pajetë brenda një prej baseneve vaditëse të zonës, ku ishin duke u kryer dhe kërkimet nga forcat zjarrfikëse.
Dy fëmijët, 6 dhe 7 vjeç, ishin larguar nga shtëpia e tyre pasditen e djeshme pranë Contrada Fonterosa në rrugën që të çon nga Manfredonia në Zapponeta.
“Një ndërhyrje dramatike”: kështu i ka cilësuar Brigada e Zjarrfikëses operacionet që mbrëmë çuan në zbulimin e trupave të dy vëllezërve, me kombësi rumune, të mbytur në një gropë vaditëse, rreth tre metra të thellë.
Po vijojnë hetimet për të zbardhur se si dy fëmijët – prindërit e të cilëve po pushonin kur fëmijët e tyre u larguan nga shtëpia, janë mbytur në këtë kanal. Fëmijët ishin raportuar fillimisht të zhdukur.
Ata mund të jenë futur për t’u larë në rezervuarin e ujitjes ku më pas janë mbytut. Kjo është një nga hipotezat që po shqyrton policia që po kryen hetimet për vdekjen e dy fëmijëve. Kjo hipotezë lidhet me faktin se prindërit, teksa kërkonin dy fëmijët, gjetën pantoflat pranë legenit, i cili është rreth tre metra i thellë.