Akademiku Artan Fuga:
Kuvendi në kaos!
Me fjalimin e z. Sali Berisha sot në Kuvend, u shqep ligji i heshtjes që prej vitesh kishte zaptuar Kuvendin. Gjuha politike do të ndryshojë tërësisht!
Sherri tani do të bëhet së paku katërsh dhe ne si qytetarë kemi nevojë për këtë sherr sepse do të prishi të gjitha ekulibrat e vendosura nga lidershipi politik në këta tridhjet vjet.
Berisha do të drejtohet kundër Ramës, por edhe kundër Bashës. Rama do të detyrohet të flasë kundër Ramës dhe kundër Bashës, pa i futur dot më në një thes. Basha do të detyrohet po aq të flasë kundër Ramës sa edhe kundër Berishës. Prit sepse ka edhe brenda rradhëve socialistë disa që sapo t’u jepet rasti do të nisin të flasin edhe kundër Ramës, edhe kundër Bashës dhe kundër Berishës. Ndërkohë prit se do të hyjë në lojë edhe LSI sapo zoti Ilir Meta do të shkojë drejt uljes së avionit të Presidentit në pistë. Atëhere pritet që zonja Monika Kryemadhi duke mbajtur një distancë heshtjeje ndaj zotit Sali Berisha, do të flasë kundër Ramës, Bashës, si edhe do të pozicionohet ndaj deputetëve socialistë që do të jenë kritikë ndaj Ramës. Prit se edhe mes deputetëve që përkrahin Foltoren ka prej tyre që duke ja bërë me sy zotit Berisha, i buzëqeshin fshehur zotit Lulzim Basha.
Prit se zoti Berisha ka “nxjerrë shejtanin nga shishja”, u ka thënë fjalën militantëve në foltoret e tij. Ata tani nuk mbyllen më kurrë në “shishe”.
Fjalimet e deputetëve të tjerë do të jenë ose jashtë teme, ose iso polifonike. Por ka rëndësi dy gjëra që Kuvendi do të hyjë në një kakofoni që nuk do të ketë Zot ta orkestrojë. Ligjërimi politik nga dydimensional do të bëhet shumë dimensional çka do të shqepi gjuhën e sotme politike. Dhe ka shumë mundësi që ky kaos diskursif të paralajmërojë krizë politike shumë madhore dhe rinisjen e lojës nga e para! Kjo është pozitive për Shqipërinë, për qytetarët, për forcat politike që duan të hyjnë në lojë, dhe do të na nxjerrë të palara që as nuk na kishte shkuar ndëmend se do të ndodhnin.
Zoti Edi Rama nuk e përballon dot këtë kakaofoni të rrerzikshme që i nxjerr Kuvendin jashtë kontrolli, duke shtuar një dimension tjetër kakofonisë politike, sikurse ai i bisedës gjoja me qytetarët me anë e pyetësorit. Krizën ligjërimore nuk e zgjidh duke e konsideruar të paqënë dhe bërë si ai që kur s’i pëlqen muhabeti në tavolinë sheh nga dritarja dhe iu flet njerëzve që ecin në shi pa çadëre!
Kriza politike po afron!
Gjithsesi qetësia brenda establishmentit politik është prishur. Ka vend për afera dyshe, kurse kur aktorët janë së paku pesë, karriget nuk mjaftojnë.
Janë së paku pesë persona për dy karrike, një në pushtet dhe një në opozitë. I pari ka monopolizuar pushtetin i dyti opozitën. Po ne thonë të tjerët? Erdhi shoqja prapa meje dhe shaminë ma vuriiii! E dini vallen besoj!