“Jemi shumë të ngazëllyer të konfirmojmë që nesër do të shihni dy atlete amerikane në finalen e traut të ekuilibrit – Suni Lee dhe Simone Biles !! Mezi presim t’ju shohim të dyjave!” tha në një deklaratë Ferderata Amerikane e Gjimnastikës.
Do të jetë hera e parë që amerikania do të konkurojë në Tokio që pas tërheqjes nga faza finale e garave në ekip të martën e kaluar, duke përmendur si shkak shëndetin e saj mendor.
24-vjeçarja Biles fitoi katër medalje të arta në Lojërat e Rios në vitin 2016.
Biles është kampione në fuqi e botës në traun e ekuilibrit dhe mori një medalje bronzi në këtë garë në Rio.
Ajo ka pësuar një krizë besimi në Tokio. Biles u shpreh se ndjehej e çorientuar gjatë sekuencave të rrotullimeve në ajër që janë sfiduese ndaj gravitetit.
“Është sinqerisht e tmerrshme të përpiqesh të bësh një lëvizje, por të mos kesh mendjen dhe trupin të sinkronizuar,” shpjegoi Biles në një postim në Instagram, në të cilën ajo iu përgjigj pyetjeve të admiruesve të saj dhe ndau video nga stërvitja.
Ndërsa disa teknika të vështira akrobatike duhet të kryhen në traun e ekuilibrit, manovrat e shpejta të rrotullimit dhe kthesave në ajër janë të kufizuara, duke i dhënë kështu Biles mundësinë për të konkuruar për një tjetër medalje.
Pavarësisht se nuk ka konkurruar, Biles ka qenë e pranishme në Qendrën e Gjimnastikës gjatë javës së kaluar për të mbështetur koleget e ekipit amerikan. Biles brohoriti për Sunisa Lee, e cila mori medaljen e artë në garat individuale, dhe Mykayla Skinner, e cila e zëvendësoi atë në finalen e kërcimit të kaluçit të dielën duke fituar medaljen e argjendtë.
/VOA