Familjarët e Arben Leshit, i cili u vra rreth tri muaj më parë në burgun e Peqinit, ngrenë dyshime se viktima nuk është i afërm i tyre.

Ata kanë refuzuar të tërheqin trupin nga morgu dhe ta varrosin, duke pretenduar se viktima s’ka lidhje me ta.

Në këto kushte, Prokuroria ka tentuar të identifikojë viktimën përmes gjurmëve të gishtave, proces i cili ka rezultuar i pamundur, tri muaj pas vdekjes.  Tashmë, Prokuroria do të identifikojë viktimën, duke krahasuar ADN-në me familjarët e tij.

Pas identifikimit, në rast se familjarët ende refuzojnë varrimin, do t’i jepet leja bashkisë për ta kryer atë.

Megjithatë, dyshohet se familjarët kanë refuzuar trupin nga frika e një hakmarrjeje të mundshme.

Viktima Arben Lleshi ishte dënuar përjetësisht për vrasjen dhe më pas djegien e Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe në 2012. Pas kësaj ngjarje, familja Lleshi humbi dhe katër pjesëtarë.

Lleshi u vra në burgun e Peqinit në dhjetor të vitit 2023 nga Sokol Mjacaj. Prokuroria dyshon se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë, por ende nuk ka mundur të identifikojë porositësit.

Top Channel