Partnerët ndërkombëtarë udhëzojnë SPAK-un që të hetojë arkitektët e vilave luksoze, kuzhinierët dhe deri te pastruesit e të pasurve me metoda speciale për të zbuluar të korruptuarit në radhët e zyrtarëve të lartë.
Këshillat jepen përmes një raporti konfidencial, një pjesë të të cilit e ka siguruar Voxnews.al.
Raporti konfidencial rendit një seri udhëzimesh dhe ndërthurje të metodave tradicionale të hetimit me mundësitë dhe risitë që ofron teknologjia.Dy janë udhëzimet kryesore për SPAK, së pari përqendrimi te individët dhe profesionet e konsideruar si më të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe së dyti përdorimi i metodave të avancuara dhe teknologjisë gjatë hetimit.
Për individët dhe profesionet, shërbimet partnere këshillojnë prokurorët e posaçëm shqiptarë që të hetojnë importuesit dhe konsumuesit e materialeve dhe shërbimeve të shtrenjta, të pazakonta për të ardhurat e deklaruara prej tyre.
Këshillohet marrja në pyetje e kuzhinierëve, pastrueseve dhe deri te bashkëpunëtorët e personat që kanë shërbyer në të shkuarën, apo vazhdojnë të shërbejnë në vilat e zyrtarëve të lartë. Këshillohet gjithashtu që të hetohen arkitektët e shtëpive, ndërtesave apo vilave luksoze. Të ardhurat e tyre dhe faturat që lëshojnë për shërbimet e ofruara.
Në lidhje me metodat e avancuara dhe përdorimin e teknologjisë, partnerët ndërkombëtarë këshillojë SPAK që të analizojë të dhënat përmes programeve të specializuara, të monitorojnë aktivitetet në rrjetet sociale dhe mediat digjitale, të personave, kompanive apo edhe institucioneve ku dyshohen aktivitete korruptive.
Sugjerohet gjithashtu infiltrimi, apo sigurimi i bashkëpunëtorëve konfidencialë që të mund të sigurojnë të dhëna shtesë për hetimet, si dhe përdorimi i dronëve, apo teknologjisë satelitore për mbledhjen e informacioneve.
Këshillohen përgjime mjedisore përmes programeve të specializuara, si dhe përdorimi i mikrodronëve, njohur ndryshe edhe si ‘mizat përgjuese’ për përgjime të fshehta.
Udhëzimi i partnerëve ndërkombëtarë ka si objektiv sigurimin e një qasjeje më të plotë dhe sigurimit të provave të pakontestueshme në luftën kundër korrupsionit duke kombinuar analizat tradicionale me teknologjinë e avancuar.
©CopyrightVoxNews