Kampion kombëtar ping-pongu

Rektorati i Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani” i dha Certifikatë Mirënjohjeje studentit Sadush Tosuni me motivacionin “Për shpalljen kampion universitar mbarëkombëtar në ping-pong”.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast merrnin pjesë Rektori i Universitetit të Elbasanit, prof.dr. Skënder Topi, Presidenti i Federatës së Sportit Universitar Besnik Veliu, personaliteti i sportit shqiptar Hysen Domi, Shefi i Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Fakultetin e Shkencave të Edukimit doc. dr. Edmond Biçoku etj.

 Në fjalën e marrë me këtë rast Rektori Skënder Topi përgëzoi studentin Sadush Tosuni për rezultatin e arritur. Gjithashtu ai nënvizoi se Departamenti i Edukimit Fizik dhe Sporteve në Elbasan në vite ka nxjerrë talente të cilët po bëjnë emër në të gjitha kategoritë e sporteve sot në Shqipëri por jo vetëm.

“Universiteti i Elbasanit ka pasur dhe vazhdon të ketë një koordinim të shkëlqyer me federatat sportive në evidentimin dhe promovimin e talenteve”, deklaroi rektori. Prof. dr. Skënder Topi u shpreh se sporti është prioritet kombëtar në strategjinë e arsimit.

Presonaliteti i fushës së sportit Hysen Domi gjithashtu nënvizoi faktin se studentët e Edukimit Fizik kanë pasur gjithnjë mbështetjen e rektoratit të UE duke u krijuar atyre të gjitha mundësitë për të arritur rezultate të larta.

Nga ky universitet kanë dalë edhe talente të tjera që spikasin sot brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu ai ka evidentuar mbështetjen e universitetit në universiadat kombëtare e ndërkombëtare.