Vijon puna përgatitore për finalen e Conference League.
UEFA mori në dorëzim stadiumin ku do të luhet finalja e Conference League. Në Arenën Kombëtare po punohet për të qenë gati për 25 Majin kur do të dorëzohet trofeu i parë i këtij aktiviteti. Sheshi përballë stadiumit do të jetë për kamionët e shumtë që do të shërbejnë për transmetimin e sfidës në 170 vende të botës. I gjithë stadiumi do të marrë ngjyrat e Conference League, ndërsa UEFA do të shfrytëzojë edhe Pallatin e Kongreseve.
Feyenoord do të ketë më shumë kohë që të përgatitet, pasi kampionati holandez mbyllet 1 javë para atij italian. Roma nga ana tjetër pret vendimin nëse ndeshja e saj me Torino do të luhet më herët dhe jo më 22 Maj.
Skuadra italiane luan një finale kontinentale pas 31 vitesh, ndërsa Feyenoord kthehet në Tiranë pas rreth 3 dekadash pas ndeshjes së turit të parë të Kupës së Kupave me Partizanin në stadiumin “Qemal Stafa” që u mbyll pa gola.