Presidenti Ilir Meta ka dekoruar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” pastorin e njohur Akil Pano.

Vlerësimi i tij vjen në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, ndërsa Meta shprehet se Pano është një personalitet i “dalluar në jetën civile dhe fetare të vendit, një avokat publik në mbrojtje të institucionit të familjes dhe jetës”.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, pata kënaqësinë të vlerësoj një personalitet të dalluar në jetën civile dhe fetare të vendit, një avokat publik në mbrojtje të institucionit të familjes dhe jetës, Pastor Akil Pano.

Nismëtar dhe themelues i lëvizjes qytetare “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës”, ai ka spikatur si promotor i vlerave të larta morale, qytetare, kombëtare dhe të solidaritetit njerëzor.

Për përkushtimin e spikatur për kauzën e mbrojtjes së familjes dhe për mbështetjen ndaj personave në nevojë dhe me aftёsi ndryshe, i akordova Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Si udhëheqës i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë i jemi falenderues Pastor Panos edhe për kontributin në forcimin e bashkëjetesës e harmonisë fetare në vendin tonë, një vlerë e jashtëzakonshme kombëtare, me të cilën krenohemi dhe që mbetet një shembull frymëzues për të gjithë botën”, shprehet Meta.