Kamala Harris do të jetë zëvendëspresidentja e parë femër e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gruaja që bëri disa herë historinë në SHBA, do të jetë në krah të Biden në Shtëpinë e Bardhë, për 4 vjetët e ardhshme. Ajo gjithashtu është zv/presidentja e parë me ngjyrë, dhe e para aziatiko-amerikane. Në fjalimin e saj, pas shpalljes së fitore, Harris përmendi së pari nënën e saj që nuk jeton më, një emigrante indiane në SH.B.A, dhe tha se ky moment historik është falë saj dhe miliona grave të tjera, me ngjyrë, aziatike, latine dhe vendase

“Unë do te jem e para grua në këtë zyrë, por nuk do të jem e fundit”, tha Harris.

Me një buzëqeshje unike, dhe me sytë që përcillnin lumturinë e këtij momenti Harris tha:

“Ju zgjodhët shpresën dhe unitetin, mirësinë, shkencën dhe sigurisht të vërtetën. Ju zgjodhët Joe Biden për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. E ardhmja që na pret, nuk do të jetë e lehtë, por Amerika është gati, dhe bashkë me të unë dhe Joe”, tha Harris.