Uragani Ian preku sërish tokë, këtë radhë në shtetin Karolinë e Jugut, pasi la dëme masive në mbarë shtetin Florida.

Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se epiqendra e Ianit mbërriti në breg të premten pasdite pranë qytetit Georgetown, me një shpejtësi maksimale erërash prej 140 kilometrash në orë.

Uragani pritet të sjellë në vazhdim përmbytje me rrezik për jetën dhe erëra të fuqishme në tre shtete: Karolinë e Jugut, Xhorxhia dhe Karolinë e Veriut. Zyrtarët e të treja këtyre shteteve u kanë bërë thirrje banorëve të përgatiten për kushte të rrezikshme.

Deri të premten, makinat nuk u lejuan të qarkullonin në Qarkun Charleston, të Karolinës së Jugut dhe Aeroporti Ndërkombëtar në Charleston u mbyll për shkak të erërave të fuqishme. Qarku ka rreth 400 mijë banorë dhe ka çelur pesë vendstrehime.

Ekspertët parashikojnë stuhi e përmbytje pas dëmeve katastrofike që shkaktoi stuhia e fuqishme në Florida, duke bllokuar me mijëra njerëz brenda shtëpive të përmbytura.

Autoritetet kanë dhënë alarmin për të gjithë bregun e Karolinës së Jugut dhe atë të Veriut. Rradhë të gjata makinash u panë të enjten tek largoheshin nga Çarlestoni dhe të premten ai u gdhi kryesisht bosh, i goditur nga erëra të fuqishme e reshje shiu.

Shpejtësia mesatare e erërave sot llogaritet në rreth 140 kilometra në orë. Qendra Kombëtare e Uraganëve njoftoi për një “stuhi kërcënuese për jetën” përgjatë zonës bregdetare të Karolinës së Jugut dhe të Veriut.

Në Florida, grupet e shpëtimit po vijojnë me përpjekjet për të shpëtuar banorët e bllokuar nga përmbytjet.

Guvernatori i Floridës Ron DeSantis tha se të enjten ishin shpëtuar të paktën 700 vetë, kryesisht nga ajri. Në operacione u përfshi Roja Bregdetare, Garda Kombëtare dhe ekipet e kërkim-shpëtimit.

Uragani Ian goditi bregun e Gjirit të Floridës të mërkurën, si një stuhi e fuqishme e kategorisë 4, një nga stuhitë më të forta që ka goditur ndonjëherë SHBA-në me një shpejtësi mesatare të erës prej 241 kilometrash në orë. Ai përmbyti shtëpi në të dy brigjet e shtetit dhe la pa energji elektrike 2.6 milionë shtëpi e biznese, që përbëjnë një të katërtën e klientëve në këtë shtet.

Të paktën gjashtë persona janë konfirmuar të vdekur në Florida.

Sipas një studimi të përgatitur menjëherë pasi stuhia goditi tokën, ndryshimet klimatike kanë bërë që uragani të sjellë me vete të paktën 10% më shumë shi.