Në të gjithë qarkun e Elbasanit ka nisur sot vaksinimi masiv i moshës së tretë.

Personat mbi 70 vjeç tashmë do të vaksinohen. Janë 11 mijë vaksina në dispozicion të moshës së tretë në qarkun e Elbasanit. Ndërsa vetë të moshuarit shprehen të lehtësuar që ky proces, më në fund, nisi.

Vaksinimi do të përfshijë të gjithë moshën e tretë, ndërsa për zonat e largëta malore do të mendohet edhe sigurimi I transportit. Nuk I hiqet e drejta e vaksinimit atyre personave që sot kanë frikë apo shkaqe të tjera për të mos e bërë vaksinën. Një mundësi e dytë do tu jepet atyre më vonë.

Ka ngjallur interes mes të moshuarve në Durrës procesi i vaksinimit me coronavac. Aktualisht po vaksinohen pranë qendrave shëndetësore të Durrësit të moshuarit mbi 80 vjeç, ndërsa moshat +70 apo të sëmurët kronikë duhet të presin një moment të dytë.

Në dispozicion të këtij procesi janë vënë 15000 doza të vaksinës kineze.

”Kam ardhur për t’u interesuar kur do t’i bejmë vaksinat se do të vijë dhe gruaja. 73 vjeç jam”

”Udhëzimi është mbi 80. Në ditët në vazhdim besoj do të vazhdojë me moshën mbi 70.
Ka pasur interesim të madh. Deri tani janë bërë goxha vaksina.”

Nën monitorim, në 20 minutat e para pasi kanë bërë vaksinën kineze të moshuarit nuk kanë shfaqur probleme shëndëtësore.

”Ndjehem mirë. Në fillim pata dyshime po pastaj thashë ta bëj edhe unë. Ai që e ka prodhuar e di.”
Procesi po vijon edhe në qendrat e vaksinimit me vaksinat e llojeve Pfizer dhe AstraZeneca për kategoritë përkatëse.

Top Channel