Gazetarja jonë Juli Ristani ndodhej sot në oborrin e gjimnazit “Ismail Qemali” në kryeqytet, ku ishte mbushur plot me mësues që po prisnin të vaksinoheshin me vaksinën AstraZeneca.

Janë mësuesit e 6 shkollave të mesme të Tiranës, rreth 300 punonjës të stafeve pedagogjike, që do të vaksinohen. Në gjithë Tiranën janë 3 qendra vaksinimi për mësuesit, kjo ku ndodhemi ne, gjimnazi “Petro N. Luarasi” dhe shkolla 9-vjeçare “4 Dëshmorët”.

Vetëm ditën e sotme, vaksinohen mësuesit e 15 shkollave në Tiranë.

“Unë e kalova familjarisht shumë keq Covidin. Vaksina është një garanci, një shpresë, siguri për ne, nxënësit dhe familjet e tyre.
Unë sa e kalova dhe nuk do ta bëj, por kam ardhur të interesohem se kur do ta aplikoj.
Kam 38 vjet mësuese. Unë këtu, dhe djali që jeton në Itali jemi vaksinuar në familjen tonë. Edhe djali me Astrazeneca u vaksinua.
Vaksinat kanë shpëtuar njerëzimin. Sigurisht që jam përgatitur emocionalisht, mezi po e prisja. Me jep siguri edhe për nipërit e mbesat e mia.
Kemi një vit me këtë sëmundje dhe ne si kategori e rriskuar po vaksinohemi ndër të parët, e kjo jo pa qëllim”, thonë mësuesit.

Pasi plotësojnë formularin me vullnet të plotë, mësuesit kalojnë në këtë hapësirë ku kryhet injeksioni. Sot do të vaksinohen rreth 300 mësues.

“Shpresoj që të shënojë fundin e pandemisë procesi i vaksinimit.
Ishte një procedurë e thjeshtë, tani do të kalojë tek dhoma tjetër të pres, në rast të ndonjë komplikacioni. Ndjehem i sigurtë për vete dhe për këdo më të cilët kam të bëj. Kam dëgjuar për debatet për këtë vaksinë, por është normale, pasi bën një vaksinë, sepse hyjnë trupa të huaj në organizmin tënd.
Bota do të shpëtojë vetëm nga vaksina”, shprehen mësuesit.

Top Channel