Zyrtarët shëndetësorë në Vietnam kanë thënë se kanë identifikuar një variant të ri të koronavirusit, që është me orgjinë të përzier mes variantit britanik dhe atij indian, dhe është i transmetueshëm në ajër.
Ministri i Shëndetësisë në këtë shtet Nguyen Thanh Long ka thënë më 29 maj se virusi është vërejtur te pacientët lokalë.
“Ministria e Shëndetësisë mund të shpallë variantin e ri të koronavirusit në hartën globale”, ka thënë Long, sipas faqes online VnExpress.
Varianti vietnamez, i cili nuk ka emër, duket se ka ngjashmëri me variantin indian, i cili ka mutacione që fillimisht janë identifikuar te varianti britanik, ka thënë ai. Varianti britanik konsiderohet se është përhapet lehtë, derisa variantet indiane besohet se janë po ashtu të transmetueshme lehtë, por edhe më rezistuese ndaj neutralizimit të antitrupave. Testet laboratorike kanë sugjeruar se varianti vietnamez riprodhohet jashtëzakonisht shpejt, ka thënë Long. Riprodhimi i shpejtë mund të rrisë mundësinë e shfaqjes së mutacioneve midis patogjenëve të tillë.
Vietnami, vend që ka regjistruar numër relativisht të ulët të rasteve gjatë muajve të pandemisë, është përballur me rritje të shpejtë të shkallës së infektimit në muajin e kaluar. Vietnami më parë ka raportuar për shtatë variante të koronavirusit, katër britanike dhe tri indiane.