Deputeti tashmë i zgjedhur i Partisë Demokratike për qarkun e Beratit, Tomorr Alizoti ka sulmuar qeverinë pasi një qytetar humbi jetën ditën e sotme teksa priste në radhë për t’u vizituar në spitalin e Beratit.

Postimi:

Vdekja e të moshuarit në pritje të radhës pranë poliklinikës së Beratit është një fatkeqësi e paralajmëruar.

Në Shqipëri sistemi shëndetësor publik vuan nga mungesa e personelit shëndetësor, investimeve në infrastrukturë dhe pajisjeve mjekësore. Qytetarët duhet të presin orë e ditë të tëra në radhë për të marrë shërbim. Mungesa e mbështetjes ka larguar me mijëra mjekë dhe infermierë nga vendi, duke bërë që Shqipëria të ketë numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Eruopë.

Dhe kur prioritet janë PPP-të korruptive dhe koncesionet që i kanë marrë frymën sistemit shëndetësor, faturën e paguajnë qytetarët, të braktisur nga një pakicë e korruptuar që u merr çdo gjë, shpesh herë edhe jetën.

Shqiptarët nuk e meritojnë këtë regjim, ata meritojnë një qeveri që punon për ta dhe jo për një grusht oligarkësh.