Policia e Durrësit ka reaguar në lidhje me rastin e vdekjes së tre turistëve nga Kosova, të cilët ndërruan jetë ditë e djeshme, pasi kishin konsumuar kërpudha të helmuara.

Në njoftimin e policisë bëhet me dije se këta persona kishin mbledhur kërpudha në pyll, në afërsi të banesës së tyre në Gjirin e Lalëzit dhe pas konsumimit të tyre kanë ndërruar jetë në spital.

Blutë e Durrësit bëjnë me dije se janë proceduar penalisht dhe dy mjekë në qëndrën shëndetësore Manëz për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.

Njoftimi i plotë: Manëz/Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç  dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qëndrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe ( famijarë), të cilët nga hetimet paraprake  dyshohet se këta shtetas  kanë mbledhur kërpurdha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.