Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime. Në një intervistë për Top Albania Radio, Veliaj komentoi ngërçin e identifikimit elektronik në disa qendra votimi. Ai tha se pas këtij ngërçi momental që tashmë është zgjidhur, është koha që qytetarët të votojnë.

“Nuk ka rëndësi fare se për kë votoni, por është shumë e rëndësishme që të votojmë dhe kuptojmë verdiktin popullor për propozimin që kemi bërë dhe për kandidatët. Shpresoj shumë që do rikuperohet gjatë ditës.  Ajo që ndodhi është problem, por fatmirësisht nuk është një gjë që është organizuar nga shteti, nga qeveria, ose nga bashkia. Një “X” numër pajisjesh nuk kishin funksiononin. 

Tani kemi 2 mundësi, o të analizojmë pse kjo është gjë e keqe, ose të bëjmë të gjithë bashkë ç’është e mundur që ata qytetarë, sidomos pensionistët, pasi janë ata kryesisht që dalin të parët. Të moshuarit dalin herët, pinë kafen, bëjnë atë adetin e  votimit, kështu që është mosha e 3-të ajo që kryesisht është prekur dhe lutja ime për nipat, për mbesat, për të afërmit, është që t’i shoqërojnë të rikthehen sërish në qendrat e votimit.

Nuk ishte një ngërç politik, ishte një ngërç teknologjik dhe tani që çdo gjë është rikthyer në normalitet, edhe radhët kanë rënë, koha është e freskët dhe nuk është ajo vapa tipike e proceseve që ndodhin në prag vere, gjykoj që para se të bëjmë analizën e çfarë ndodhi, hajde tani të rikuperojmë sa mundemi deri në fund të ditës së votimit”, tha Veliaj.