Vetëm 300 nga 2 mijë aplikime në ditë të qytetarëve, për shitje, dhurim, shkëmbim apo regjistrim fillestar arrijnë të marrin përgjigje nga ana e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Shifrat raportohen nga ana e noterëve, të cilët ngrenë shqetësimin e vonesave, por dhe gabimeve në kthimin e përgjigjeve. Një problem që ka nisur pas heqjes së zyrave fizike dhe kalimit të shërbimit të Kadastrës online.

Sipas një vendimi të qeverisë afatet e kthimit të përgjigjeve fillojnë nga 24 orë deri në 30 ditë. Një kontratë shitje e pasurisë së paluajtshme afatin e ka 5-7 ditë por kemi kaluar 30 ditëshin dhe nuk kemi përgjigje nga ana e Kadastrës për shumë nga kërkesat.  Gjë që ka sjellë bllokim të transaksioneve të qytetarëve në rastin e e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme dhe duke krijuar një stok nëpër banka për lekët që mbeten në llogaritë e noterëve për shitblerjen e pasurive të paluajtshme.”Vasil Martini – Noter

Sipas Agjencisë së Kadastrës Shtetërore kjo vonesë ka ndodhur si pasojë e shqyrtimit edhe të dokumentacioneve të mbartura ndër vite, 

Që prej 3 korrikut dhe deri më tani ASHK po zhvillon një punë kolosalë jo vetëm në aplikimet ditore por dhe ato të mbartura. Janë stok dhjetëra mijëra aplikime të mbartura që edhe këta e duan një përgjigje pavarësisht se nuk kanë pasur mundësi deri më sot.”Edmond Arizaj – Drejtor i marrëdhënieve me publiku në ASHK

Kryeministri Rama i konsideroi normale vonesat në përgjigje për shkak të sistemit të ri, që sipas tij nervozon noterët, por mbi të gjitha hienat që rrethonin Kadastrën.

Vonesat në përgjigje ndërkohë po krijojnë një faturë jo të vogël për qytetarët, të cilët paguajnë deri në 2 mijë lekë procedurën e përshpejtuar.

Praktikisht nuk ka mekanizëm që të rimbursojë dëmet e shkaktuara nga mungesa në ardhjen e përgjigjeve. Praktikisht nuk kemi rimbursime.”Vasil Martini – Noter

Përgjigjet që vijnë të paadresuara saktë të pabazuara në ligj, çdo noter duhet të ketë të drejtë t’i adresojë në zyrën përkatëse të Kadastrës.

Nëse qytetari për shkak të një defekti apo  një ngërçi të sistemit nuk merr shërbimin në kohë do të marrë rimbursimin në vlerën që ka paguar.”Edmond Arizaj – Drejtor i marrëdhënieve me publiku në ASHK

Prej 3 Korrikut, Kadastra ofron shërbime vetëm online, si një përpjekje e qeverisë për të eliminuar të gjitha hallkat e mundshme të korrupsionit. Institucioni proceson çdo vit mbi 1.2 milionë kërkesa për shërbim.