Emisioni “Stop” në Tv Klan denoncon abuzimin me detyrën të Policisë së Elbasanit. Një grup xhirimi i emisionit “Stop” ishte në qytetin e Elbasanit duke investiguar për një çështje ditën e mërkurë.

Kur grupi i xhirimet qëndronte brenda makinës së parkuar para Gjykatës dhe Prokurorisë  së Elbasanit, aty u turrën Forcat Operacionale dhe ato ‘Shqiponja’. Në abuzim me detyrën, efektivët filluan një kontroll të paligjshëm fizik dhe të automjetit të emisionit “Stop”.

Gazetari: Po jam në punë, o zotëri…

Punonjësi 1, i Operacionales Elbasan: Policia për kontroll!

Gazetari: Po jam në punë o zotëri…!

Punonjësi 2 i Operacionales Elbasan: Edhe ne në punë jemi, o vëlla…about:blank

Punonjësi 1, i Operacionales Elbasan: Unë jam punonjës policie. Vetëm kaq!

Gazetari: Ok! Por a mund të identifikohesh?

Punonjësi 3 i Operacionales Elbasan: Zbrit poshtë…!

Gazetari: Ik tani, se ju kanë informuar gabim! Na lini rehat të kapim atë, kë kemi për të kapur dhe hëëë…!

Punonjësi 2 i Operacionales Elbasan: Kë do kapësh ti?!

Gazetari: Kë kam unë për të kapur. Cfarë do ? Kush ju njoftoi juve?

Punonjësi 2 i Operacionales Elbasan: Unë bëj punën time…

Gazetari: Për cfarë erdhët?!

Punonjësi 3 i Operacionales Elbasan: Është ai ooo.., se e kam parë unë.

Punonjësi 2 i Operacionales Elbasan: Po unë të njof shumë mirë.

Gazetari: Po,por për cfarë erdhët?

Punonjësi 2 i Operacionales Elbasan: Për të verifikuar..

Punonjësi 2 i Operacionales Elbasan: Ata, që kanë dyshimet.

Punonjësi 2 i Operacionales Elbasan: Ore, po unë s’po të pyet ty.., se kë pyes unë, o vëlla!

Gazetari: Urdhëro! Do kartë ID, a çfarë do? Vec mos na dekonspiro!

Gazetari i emisionit Stop, i cili ishte në detyrë, Genci Angjellari, kërkoi me ngulm një dokument apo urdhër për këtë procedurë të Policisë së Shtetit. Sipas Kodit të Procedurës Penale, kontrolli është parashikuar të kryhet vetëm kur ka arsye të bazuara, se dikush fsheh prova të një vepre penale. Në këto kushte gjykata nxjerr vendim për këtë procedurë të policisë.

Sipas neneve të Kodit të Procedurës Penale, tregohen qartë rastet se kur kryhen kontrollet nga Policia e Shtetit.

“Kur ka një arsye të bazuar për të menduar se dikush fsheh prova materiale të veprën penale apo sende që i përkasin veprës penale, gjykata merr vendim për kontrollin e personit”, thuhet në Kodin e Procedurës Penale.

Por në rastin konkret, oficerët e Operacionales së Elbasanit nuk kishin asnjë mandat kontrolli, e për më tepër, njëri prej punonjësve ka kapur fizikisht nga krahu gazetarin, kur nga ana e këtij të fundit nuk ishte bërë asnjë rast kundërshtimi me forcë.

Punonjësi 1 i Operacionales Elbasan: Të lutem do zbresim! Zbrisni direkt për kontroll!

Gazetari: Për cfarë? Më jep një mandat, që do bësh kontroll!

Punonjësi 1 i Operacionales Elbasan: Ore lere mandatin.

Gazetari: Mos më kap me dorë, o zotëri mos më kap me dorë. Mos më kap me dorë se dal vetë ore zotëri. Mos ma shtrëngo dorën.

Punonjësi 1 i Operacionales Elbasan: Unë nuk të njof fare! Policia për kontroll!

Sikur të mos mjaftonte ky kontroll abuzim dhe pa asnjë dokument gjykate, gazetari i Stop Genci Angjellari konstaton se njëri prej punonjësve të Operacionales Elbasan, pikërisht oficeri që kryente kontrollet, ishte në gjendje të dehur gjatë detyrës.

Gazetari i Stop kërkoi që t’i bëhet testi i alkollit, mirëpo kolegët e tij habitën me përgjigjen që dhanë: “Nuk është në timon”!

Gazetari: Tani një konstatim, meqë jemi me kamera! Tani ky zotëri, që po na kontrollon, mua më duket, që vjen era alkool! A mund të vijë dikush me një (paisje e konstatimit të alkoolit), jo meqë jemi  këtu, unë jam gazetar, në kushtet e flagrancës, të vijnë këtu, t’i bëjnë testin, mos ikë…? Ok? Lajmëron pak të lutem, apo të lajmëroj unë sallën? Ta marr unë 129? Si është procedura, se mos ikë zotëria?

Punonjësi 3 i Operacionales Elbasan: Tani ti ke ndonjë kundërshtim për kontrollin? A si?!

Gazetari: Po pra, se ai është i dehur, nuk i lejohet. T’i bëjnë testin, të shikohet, sa ka konsumuar alkool dhe pastaj…

Punonjësi 3 i Operacionales Elbasan: Po ai s’është në timon.., hahah…

Gazetari: Po pra, prandaj po ta them, sepse nuk lejohet, punë shteti të jesh i dehur, nuk lejohet…!

Ajo, që ndodhi një ditë më parë në Elbasan, nuk plotësonte asnjë kriter. Avokati Arben Llangozi sqaron hapat e mëtejshëm ligjorë që redaksia e “Stop” do të ndjekë për këtë incident flagrant dhe të patolerueshëm për lirinë e individit dhe medias.

“Në Kodin e Procedurës Penale është e përcaktuar se para se të bëhet kontrolli i një personi apo i një vendi të caktuar, më parë Policia Gjyqësore duhet të kishte dhënë një vendim gjykate personave të cilët po kontrollohen dhe rasti konkret para se të bëheshit ju objekt i kontrollit, duhet që më parë të ishit njohur me një vendimmarrje të një organi i cili ju ka implikuar si të dyshuar në rastin aktual. Policia jo vetëm se nuk ju ka dhënë një dokument që është një shkelje shumë e rëndë dhe është një shkelje shumë e rëndë e dinjitetit tuaj si gazetar, por jo vetëm ju si gazetar dhe cilido kontroll që bëhet në këtë formë cënon rëndë dinjitetin e personit sepse është vetëm Gjykata ajo e cila mund të privojë dhe mund të bëjë kontrolle në lidhje me gjërat intime të personave, sepse kontrolli i personit është intim. Ne do ndërmarrim disa hapa, do t’i drejtohemi ministrit të Brendshëm, do t’i drejtohemi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të merren masa kundrejt drejtuesve të Policisë Elbasan sepse nuk kemi të bëjmë me një veprim i cili është në nivel oficeri, që sipas konstatimit tuaj është në gjendje të dehur që kjo është një tjetër arsye që kjo është të merren masa për shkarkim nga detyra, nga ana jonë do të depozitohet dhe një kallëzim penal drejtuar SPAK-ut për arsye sepse veprimet kanë qenë të ndikuara nga persona të cilët kanë qenë në investigim nga ana e emisionit Stop dhe ndikimi i paligjshëm për të përfituar të mira personale të një personi është vepër penale që ndiqet nga SPAK-u dhe kemi të bëjmë me ndikim të paligjshëm në mënyrë të drejtpërdrejt”, thotë avokati Arben Llangozi.

Pavarësisht këtij incidenti që synonte të intimidonte grupin e xhirimit të Stop, çështja që po investigonte emisioni do të transmetohet ditët në vijim. /tvklan.al