Shpërthime të forta janë dëgjuar mëngjesin e sotëm në qytetin Çaçak, në Serbi në fabrikën e municioneve Sloboda.

Sipas televizionit publik serb RTS deri më tani nuk është raportuar asnjë viktimë.

Shpërthimi i parë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në një zonë magazinimi dhe tani dëgjohen shpërthime sporadike në zonën e fabrikës.

Kur filluan shpërthime në fabrikë ndodheshin 60 punëtorë të turnit të tretë.

Drejtuesit e fabrikës janë shprehur se të gjithë punëtorët janë larguar në mënyrë të sigurtë nga zona.

Sidoqoftë – sipas raporteve të shtypit – gjashtë punëtorë janë ende në zonë , të bllokuar në një bodrum ku u strehuan për t’u mbrojtur.

Forcat e policisë dhe ushtrisë evakuuan vendbanimet përreth fabrikës brenda natës dhe rrethuan zonën.

Impianti Sloboda prodhon kryesisht predha artilerie , si dhe municione të tjera.

Gjatë bombardimeve të vitit 1999, ajo ishte shënjestruar vazhdimisht nga avionët e NATO-s.