Me anë të një operacioni të koduar “Pushuesit“, policia e Sarandës ka zbardhur vjedhjet e ndodhura gjatë sezonit turistik ndaj pushuesve vendas e të huaj.

Vihen në pranga 2 shtetas të tjerë me precedent të mëparshëm penal, si dhe procedohet penalisht pronari i një argjendarie.

Ndërkohë, më herët janë vënë në pranga dhe 3 shtetas të tjerë, për 14 vjedhje të ndodhura në qytetin e Sarandës dhe Ksamilit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë në bashkëpunim me DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Nr.1, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, në vijim të operacionit policor të koduar “Pushuesit” për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve, bënë ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim: Andon Qurku, 38 vjeç, banues në Sarandë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” në shtetin Shqiptarë dhe atë Grek. Renato Vezelaj, 45 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.” – bën me dije policia.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të 3 vjedhjeve të ndodhura gjatë sezonit turistik, në qytetin e Sarandës, konkretisht:

1. Më datë 08.06.2021, këta shtetas, kanë vjedhur një shumë parash dhe një orë dore, në banesën e shtetasit A. B.

2. Më datë 13.06.2021,kanë vjedhur një shumë parash dhe disa bizhuteri në banesën e shtetasit  E. B.

3. Më datë 08.09.2021, kanë vjedhur një shumë parash dhe sende me vlerë si unaza, ora dore dhe varse në banesën e shtetasit B. A.

Këta shtetas dyshohen se pasi kryenin vjedhjet në bashkëpunim me njëri tjetrin, menjëherë largoheshin në drejtim të qytetit të Tiranës, ku një pjesë të sendeve të vjedhura i shisnin në argjendarin e shtetasit S. V, ndërsa pjesën tjetër i mbanin të fshehura në banesë.

Po ashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. V., 42 vjeç, banues në Tiranë, (pronari i një argjendarie në Tiranë) për veprën penale të “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në argjendarin e tij, u gjetën disa prej sendeve të vjedhura nga këta shtetas, ndërsa pjesa tjetër e sendeve të vjedhura u gjetën dhe u sekuestruan në banesën e shtetasit Renato Vezelaj, në Tiranë.

Materialet proceduriale, iu referuan prokurorisë për veprime të mëtejshme.

ora tv